Previous Lesson -- Next Lesson
g) Krishti ekziston para Abrahamit (Gjoni 8:48-59)
GJONI 8:48-50
48 Judenjtë iu përgjigjën dhe i thanë: "A nuk kemi të drejtë që themi se je samaritan dhe ke një demon?" 49 Jezusi u përgjigj: ''Unë nuk kam demon, por nderoj Atin tim dhe ju më çnderoni. 50 Megjithatë unë nuk kërkoj lavdinë time; ka kush e kërkon dhe Ai do të jetë gjykatësi”.
Jezusi i shembi maskat e këtyre hebrenjve, duke u treguar atyre bashkëpunimin e tyre me frymën e Satanit, duke shpërfillur të vërtetën.
Pas këtij sulmi, shpirti i lig u detyrua të dilte në shesh. Në vend që të pendoheshin dhe të vajtonin për mëkatet e tyre, ata treguan aleancën e tyre me djallin dhe rrëfyen se kishin blasfemuar duke mohuar lindjen e Jezusit nga Fryma e Shenjtë. E quanin samaritan nga raca e përzier. Lajmi për një ringjallje samaritane kishte mbërritur në Jeruzalem dhe racistët hebrenj ishin të indinjuar.
Njëra palë njihte rrënjët hebraike të Jezusit dhe këmbëngulte se ai ishte vërtet hebre. Por të tjerët këmbëngulnin se ai po bënte mrekulli me ndihmën e djallit. Të pushtuarit nga djalli nuk ishin në dijeni të gjendjes së tyre të vërtetë, por pretendonin se i Shenjti i Perëndisë ishte i pushtuar nga djalli. Kështu ati i gënjeshtrës ua shtrembëroi mendjen që ta trajtonin të bardhën si të zezë dhe të zezën si të bardhë.
Me qetësi Jezusi iu përgjigj këtyre njerëzve të verbër shpirtërisht, duke thënë: "Nuk ka djall në mua; unë jam i mbushur me Frymën e Shenjtë. Asnjë shkëndijë e keqe nuk më prin drejt dëshirave të kësaj bote. Unë jam i tejmbushur me të vërtetën dhe dashurinë; nuk jetoj për veten time; Unë e kam mohuar veten time dhe nderoj Atin tim; ky është adhurimi im i arsyeshëm. Unë ju shpall emrin e Perëndisë dhe shenjtëroj Atin me sjelljen time. Po, unë ju zbuloj të vërtetën e Perëndisë, por ju më urreni, sepse deklaroj se Perëndia është im Atë. Fryma e ligë në ju nuk dëshiron t’ju lërë që Fryma e Perëndisë të marr kontroll. Ju nuk dëshironi të bëheni bij të të Shenjtit, prandaj më blasfemoni dhe synoni vdekjen time. Unë nuk kërkoj lavdinë time, sepse unë qëndroj përgjithmonë në Atin; ai më mbron, kujdeset për mua, më nderon dhe më përlëvdon; Ai do t'ju gjykojë, sepse ju më refuzoni; kushdo që hedh poshtë të lindurin nga Fryma, bie në gjykimin e Perëndisë, sepse fryma e ligë është mbi ata që refuzojnë, duke i penguar të marrin Shpëtimtarin."
GJONI 8:51-53
51 "Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se nëse dikush e zbaton fjalën time, nuk do ta shohë kurrë vdekjen.” 52 Judenjtë i thanë: “Tani e dimë se ti ke një demon. Abrahami vdiq, ashtu si edhe profetët; dhe ti thua: "Nëse dikush e zbaton fjalën time, nuk do ta shijojë kurrë vdekjen". 53 A je më i madh se ati ynë Abrahami, që vdiq? Dhe profetët vdiqën! Kush pretendon se je?"
Jezusi jep përmbledhjen e Ungjillit të tij, duke thënë - të gjithë ata që i dëgjojnë fjalët e tij, i pranojnë dhe i mbajnë në zemrat e tyre, do të kuptojnë se këto fjalë do të jenë të fuqishme në jetën e tyre. Ata do të marrin jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë. Vdekja për ta do të jetë një portë për te Perëndia, Ati i tyre, jo për shkak të mirësisë së tyre, por sepse fjalët e Krishtit qëndrojnë në ta. A e keni kuptuar këtë parim të Mbretërisë së Perëndisë? Të gjithë ata që nuk i mbajnë fjalët e Jezusit në zemrat e tyre bien në mëkat dhe në sundimin e Satanit. Ata që ruajnë Ungjillin dhe fjalën e tij jetojnë përgjithmonë.
Judenjtë u nxitën nga zemërimi, duke thirrur: "Ti je djalli, po gënjen. Të gjithë patriarkët e besimit vdiqën. Si mund të thuash atëherë se fjalët e tua u japin jetë të përjetshme atyre që besojnë në ty? A je më i mirë se Krijuesi , meqenëse ti jep jetë pambarim mbas vdekjes? A je më i madh se Abrahami, Moisiu dhe Davidi? Ti e ke hyjnizuar veten".
GJONI 8:54-55
54 Jezusi u përgjigj: ''Nëse unë përlëvdoj veten time, lavdia ime nuk është asgjë; është Ati im që më përlëvdon, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj. 55 Por ju ende nuk e keni njohur, por unë e njoh dhe po të thoja se nuk e njoh Atë, do të isha një gënjeshtar si ju; por unë e njoh Atë dhe e mbaj fjalën e tij".
Jezusi u përgjigj me qetësi dhe zbuloi thelbin e tij në më shumë detaje. Ai, Krishti, nuk kërkon lavdi për vete. Ai është gjithmonë i lavdishëm nga natyra. Zoti garanton nderin e Birit të Tij, pasi Ati është në Birin, nëpërmjet tij Atësia e Perëndisë bëhet e qartë. Po, hebrenjtë pretenduan se i Plotfuqishmi është Perëndia i tyre, por ata nuk e njihnin vërtet Atë. Ati i tyre ishte Satani i fshehur nën "emrin e Zotit", duke e përdorur atë emër në mënyrë të rreme. Ata pretendonin devotshmëri, por ishin të zbrazët nga Fryma e dashurisë. Kush e njeh Zotin, do ashtu siç e do Zoti. Për këtë arsye, çdo fe që pretendon se mjafton vetëm të mbahesh tek emri "Zot", nuk e vërteton vlefshmërinë e asaj mënyre jetese;i gjithë besimi mund të jetë i gabuar. Zoti është Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë. Të gjitha karakteristikat dhe emrat e esencës hyjnore që flasin fetë e tjera nuk janë gjë tjetër veçse ide elementare. E vërteta e Perëndisë qëndron në unitetin e Trinisë. Kështu Jezusi i qortoi judenjtë duke thënë: "Ju nuk e njihni Atë. Jeta dhe mendimet tuaja bazohen në gënjeshtra. Ju jeni të verbër ndaj së vërtetës". Në të njëjtën kohë, Jezusi këmbënguli se ai e njihte të Përjetshmin. Nëse nuk do të ishte kështu, dëshmia e tij për Atësinë do të kishte qenë një gënjeshtër. Por Jezusi u shpalli judenjve shëmbëlltyrën e vërtetë të Perëndisë.
GJONI 8:56-59
56 "Abrahami, ati juaj, ngazëllohej në shpresën që do të shihte ditën time; ai e pa dhe u gëzua.” 57 Atëherë Judenjtë i thanë: “Ti nuk je ende pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?” 58 Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them përpara se të kishte lindur Abrahamit, unë jam." 59 Kështu ata morën gurë për t’i hedhur kundër tij, por Jezusi u fsheh dhe doli nga tempulli.
Pasi Jezusi u tha judenjve se ata nuk e njihnin Perëndinë e vërtetë dhe se forca shtytëse në devotshmërinë e tyre ishte Satani, ai përfundoi duke zbuluar përjetësinë e tij, që ata ta pranonin ose refuzonin. Ai gjithashtu zbuloi hyjninë e tij me një shembull nga Abrahami, pionieri i besimit. Me këtë Jezusi na njofton se Abrahami jetoi me Perëndinë dhe se u gëzua kur pa mishërimin e Krishtit; sepse me anë të tij, premtimi i bërë Abrahamit u përmbush, se fara e tij do të ishte një bekim për të gjitha kombet.
Atëherë Judenjtë u habitën dhe thanë: "Ti je i ri dhe thua se e ke parë Abrahamin që ka jetuar dy mijë vjet më parë? Mendja jote duhet të jetë e sëmurë".
Jezusi u përgjigj me një fjali mbretërore: "Para se të ishte Abrahami, unë jam". Ai e mbështeti këtë pretendim duke shtuar: "Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them," që ata të kuptojnë se ai ishte Perëndia i përjetshëm, siç është Ati i tij. Para kësaj, Pagëzori kishte shpallur përjetësinë e Krishtit. Turmat e humbën këtë të vërtetë dhe as nuk besuan se një njeri mund të ishte Zoti i përjetshëm.
Ata e trajtuan dëshminë e Krishtit si blasfemi, një sulm ndaj Perëndisë, si dhe një gjë të pamundur; aq sa nuk prisnin një vendim zyrtar, por morën gurë për t'ia hedhur. Kur ishin gati t’i hidhnin këta gurë, ai u zhduk nga mesi i tyre. Ne nuk e dimë se si. Ora e tij nuk kishte ardhur. Ai u largua nga porta e tempullit.
LUTJE: Zoti Jezus, ne të adhurojmë ty; ti je Perëndia i përjetshëm, besnik dhe i vërtetë, plot dashuri. Ti nuk kërkon lavdi për veten tënde, por nderon vetëm Atin. Na çliro nga çdo krenari, që të mos biem në mëkatin e Satanit. Na ndihmo të shenjtërojmë gjithmonë emrin e Atit tonë në qiell dhe të marrim me anë të besimit te ti jetën e përjetshme.
PYETJA:
- Pse judenjtë donin ta vrisnin me gurë Jezusin?