Waters of Life

Biblical Studies in Multiple Languages

Search in "Albanian":
Home -- Albanian -- John - 022 (People lean towards Jesus; Need for a new birth)
This page in: -- ALBANIAN -- Arabic -- Armenian -- Bengali -- Burmese -- Cebuano -- Chinese -- Dioula -- English -- Farsi? -- French -- Georgian -- Greek -- Hausa -- Hindi -- Igbo -- Indonesian -- Javanese -- Kiswahili -- Kyrgyz -- Malayalam -- Peul -- Portuguese -- Russian -- Serbian -- Somali -- Spanish -- Tamil -- Telugu -- Thai -- Turkish -- Twi -- Urdu -- Uyghur? -- Uzbek -- Vietnamese -- Yiddish -- Yoruba

Previous Lesson -- Next Lesson

GJONI - DRITA SHKËLQEN NË ERRËSIRË
Studime në Ungjillin e Krishtit sipas Gjonit
PJESA I - SHKËLQIMI I DRITËS HYJNORE (Gjoni 1:1 - 4:54)
C - VIZITA E PARË E KRISHTIT NË JERUZALEM (Gjoni 2:13 - 4:54) -- ÇFARË ËSHTË ADHURIMI I VËRTETË?
2. Jezusi flet me Nikodemin (Gjoni 2:23 – 3:21)

a) Njerëzit tërhiqen nga Jezusi (Gjoni 2:23-25)


GJONI 2:23-25
23 Tani ai ishte në Jeruzalem në festën e Pashkës, dhe shumë veta besuan në emrin e tij, kur panë shenjat që bënte; 24 Por Jezusi nuk u besoi atyre, sepse i njihte të gjithë njerëzit 25 dhe nuk kishte nevojë që askush të dëshmonte për njerëzit; sepse ai vetë e dinte se çfarë kishte përbrenda njeriut.

Në festën e Pashkës, turmat erdhën në Jeruzalem, qendra e adhurimit. Ata po mendonin për Qengjin që i mbrojti paraardhësit e tyre nga gjykimi i Perëndisë, ndaj ndanë mishin e flijimeve gjatë vakteve të tyre.

Jezusi, Qengji i caktuar nga Perëndia, kishte ardhur në Jeruzalem dhe kishte bërë shumë shenja, duke treguar dashurinë dhe fuqinë e tij. Me këtë ai u bë i njohur turmave dhe emri i tij ishte në gojën e shumë personave; ata pëshpërisnin: "A është ai një profet, apo Elia, pararendësi, apo ndoshta Mesia?" Shumë u tërhoqën drejt tij dhe besuan se ai kishte ardhur nga Perëndia.

Jezusi pa në zemrat e tyre, por nuk zgjodhi asnjë prej tyre për dishepullim. Ata nuk e zbuluan ende hyjninë e tij, por po mendonin në termat e kësaj bote. Në mendjet e tyre ishte liria nga Roma, karriera e përshtatshme dhe e ardhmja e rehatshme. Jezusi i njihte të gjithë njerëzit; asnjë zemër nuk ishte e fshehur nga sytë e tij. Askush nuk e kërkoi Zotin sinqerisht. Sikur të kishin kërkuar sinqerisht Perëndinë, do të ishin pagëzuar në Jordan, duke rrëfyer mëkatin e tyre dhe duke u penduar.

Krishti e njeh zemrën tuaj, imagjinatat tuaja, lutjet dhe mëkatet tuaja. Ai i njeh mendimet tuaja dhe burimet e tyre. Ai e kupton se ju dëshironi një jetë të mirë dhe të drejtë. Kur do të tronditet krenaria juaj? Dhe kur do të largoheni nga vetëvlerësimi juaj, për t'u mbushur me Frymën e Shenjtë?


b) Nevoja për një lindje të re (Gjoni 3:1-13)


GJONI 3:1-3
1 Midis farisenjve ishte një njeri me emrin Nikodem, një krer i judenjve. 2 Ky erdhi natën te Jezusi dhe i tha: "Mësues, ne e dimë se ti je një mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund t'i bëjë këto shenja që bën ti, nëse Perëndia nuk është me të". 3 Jezusi iu përgjigj: "Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se nëse dikush nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë".

Nga turma u shfaq një i quajtur Nikodem, ai ishte shumë i devotshëm dhe i shquar, një nga të shtatëdhjetët e Sinedrit. Ai e njohu fuqinë e Perëndisë vepruese në Krishtin. Ndoshta ai donte të ndërtonte një urë midis këtij profeti të ri dhe asamblesë hebreje. Në të njëjtën kohë kishte frikë nga kryeprifti dhe njerëzit e thjeshtë. Ai ishte i pasigurtë për personin e Jezusit. Erdhi te Jezusi fshehurazi në errësirë, duke dashur ta vinte në provë Jezusin përpara se të bashkohej me rrethin e tij.

Duke i caktuar titullin "mësues", Nikodemi po shprehte një pikëpamje të shumicës, e cila e shihte Krishtin si një që mësonte Shkrimin me një grup ndjekësish. Ai pranoi se Jezusi ishte dërguar nga Perëndia, i vërtetuar me shenja. Ai rrëfeu: "Ne besojmë se Zoti është me ty dhe të mbështet. Ndoshta ti je Mesia?" Ky ishte më shumë një pranim i nënkuptuar.

Jezusi iu përgjigj pyetjes së tij, duke mos u mbështetur plotësisht në këtë ndërmjetës nga udhëheqësit e popullit te Krishti. Ai pa zemrën e Nikodemit të humbur, mëkatet e tij dhe dëshirën e tij për drejtësi. Ai mund ta ndihmonte atë vetëm pasi t’i shfaqte verbërinë e tij shpirtërore. Pavarësisht devotshmërisë së Nikodemit, ai nuk e njihte vërtet Perëndinë. Jezusi ishte i sinqertë me të dhe i tha: "Me siguri askush nuk mund ta njohë Perëndinë me përpjekjet e tij; kushdo ka nevojë për përteritjen e Shpirtit qiellor."

Kjo shpallje ishte gjykimi i Krishtit mbi studimet teologjike dhe dogmat e bazuara vetëm në logjikë. Sepse njohja e Zotit nuk vjen nga leksionet intelektuale, por nga lindja e re. Në një aparat radioje, ndryshe nga televizori, mund t'i rrotulloni butonat sipas dëshirës, por nuk mund të shohim asnjë imazh. Fotografitë kanë nevojë për një tërësi mjetesh krejtësisht të ndryshme nga radioja. Kështu edhe njeriu i natyrshëm, me gjithë devotshmërinë dhe veprimtarinë e tij, nuk mund ta shohë Zotin, as me mendim apo ndjenjë. Ky realizim shpirtëror kërkon një revolucion, një lindje qiellore dhe një krijesë të re.

GJONI 3:4-5
4 Nikodemi i tha: "Si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë për të dytën herë në barkun e nënës së tij dhe të lindë?". 5 Jezusi iu përgjigj: "Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë".

Përgjigjja e Krishtit, e cila nënkuptonte injorimin e Zotit nga ana e Nikodemit, e hutoi atë. Ai nuk kishte dëgjuar për lindjen e dytë. Kur e dëgjoi këtë, u habit nga sugjerimi se një plak mund të kthehej në barkun e nënës. Kjo përgjigje e bazuar në përvojën shqisore tregon dritëshkurtësi. Ai nuk e kuptoi se Perëndia Atë mund të lindë fëmijë me anë të Shpirtit të Tij.

Jezusi e donte Nikodemin; pasi e udhëhoqi në rrëfimin se nuk e njihte rrugën për në Mbretërinë e Perëndisë, ai e theksoi këtë fakt duke pohuar se ishte e Vërteta. Duhet të besojmë se nuk mund të hyjmë në Mbretëri pa një lindje të dytë, i vetmi kusht.

Cila është lindja e dytë? Është një lindje, jo thjesht një koncept, as nuk buron nga përpjekjet e njeriut, pasi askush nuk mund të lindë vetveten, Zoti bëhet prindi dhe dhënësi i jetës. Kjo lindje shpirtërore është një hir, jo thjesht një reformim i karakterit, as një disiplinë shoqërore. Të gjithë janë të këqij që në vitet e tyre të hershme dhe pa shpresë për përmirësim. Lindja shpirtërore është hyrja e jetës së Zotit tek njerëzimi.

Si ndodh kjo? Jezusi i tha Nikodemit, kjo arrihet me anë të ujit dhe Frymës. Uji flet për pagëzimin e Gjonit dhe enët e pastrimit në dasmë. Anëtarët e Besëlidhjes së Vjetër e dinin se nevoja për ujë në larjen e pastrimit ishte shenjë e pastrimit nga mëkati. Sikur Jezusi të thoshte: "Pse nuk zbret te Pagëzori, nuk i rrëfen mëkatet e tua dhe nuk pagëzohesh?" Diku tjetër Jezusi tha: "Nëse dikush do të më ndjekë, le ta mohojë vetveten, të marrë kryqin e tij dhe të vijë pas meje". Vëlla rrëfeje fajin tënd, pranoje gjykimin e Zotit për mëkatin tënd. Jeni të korruptuar dhe të humbur.

Jezusi nuk u kënaq me pagëzimin në ujë, por pagëzoi të penduarin me Frymën e Shenjtë për të krijuar jetë të re tek zemërthyeri. Pas kryqëzimit të tij mësojmë se pastrimi i ndërgjegjes sonë është me gjakun e tij. Ky pastrim është me veprën e Frymës së Shenjtë. Kur njeriu tërhiqet nga Shpirti, ai mbushet me jetën e përjetshme dhe frytin e saj; ai bëhet një njeri i mirë i udhëhequr nga Jezusi. Ky transformim kërkon kohë; ashtu si fetusi zhvillohet në mitër dhe lindet. Kështu është edhe lindja e dytë tek besimtari.

Jezusi e bëri këtë qëllim të predikimit të tij, temën e Mbretërisë së Perëndisë. Pra, çfarë është kjo Mbretëri? Jo një lëvizje politike, apo ndonjë teori ekonomike, por bashkësia e të rilindurve me Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë. Ky Shpirt i bekuar vjen mbi ta, ndërsa ata ia dorëzojnë veten Krishtit dhe e njohin atë si Mbretin e tyre të cilit i binden.

LUTJE: Zoti Jezus, faleminderit për rilindjen time vetëm me anë të hirit. Ti më ke hapur sytë shpirtëror. Më lër të qëndroj në dashurinë tënde. Hapi sytë e atyre që të kërkojnë sinqerisht, për të njohur mëkatin e tyre dhe për të rrëfyer, për t'u përtërirë me fuqinë e Shpirtit tënd të Shenjtë, duke u mbështetur në gjakun tënd të derdhur, që të hyjnë në shoqëri të qëndrueshme me ty.

PYETJA:

  1. Cili është ndryshimi midis devotshmërisë së Nikodemit dhe synimeve të Krishtit?

www.Waters-of-Life.net

Page last modified on November 04, 2022, at 02:27 AM | powered by PmWiki (pmwiki-2.3.3)