8. Doksologjia e Palit, si pjesë përmbyllëse e letrës së tij (Romakëve 16:25-27)
ROMAKËVE 16:25-27
25 Tani atij që është në gjendje t'ju forcojë sipas ungjillit tim dhe predikimit të Jezu Krishtit, sipas zbulesës së misterit të mbajtur të fshehtë që nga fillimi i botës 26 por tani është shfaqur dhe me anë të Shkrimeve profetike është bërë e njohur të gjitha kombeve, sipas urdhrit të Perëndisë së përjetshëm, për t'iu bindur besimit—27 Perëndisë, të vetmit të ditshëm, i qoftë lavdi nëpërmjet Jezu Krishtit përjetë. Amen.
Pali e mbylli solemnisht letrën e tij drejtuar kishës në Romë duke adhuruar Perëndinë, Atin e Zotit tonë Jezu Krisht, duke e konsideruar atë si burimin e të gjitha fuqive ndërtuese dhe të vetmin që është në gjendje të japë fuqinë e përjetshme, e cila themelon kishat dhe i ruan ato në Frymën e fuqisë së tij.
Pali e mbylli këtë letër me rrëfimin e tij në fillim (Romakëve 1:16). T’u japësh jetën atyre që kanë vdekur në mëkate realizohet në ungjillin e Palit. Nuk janë vetëm katër ungjij, përkatësisht: Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni; por çdo lajm i mirë dhe shpallje e shpëtimit të Jezusit në predikimin e Palit është ungjill i vërtetë. Apostulli i johebrenjve pranoi se shfaqja e Zotit Jezus tek ai pranë Damaskut, duke parë të Kryqëzuarin e gjallë dhe duke pranuar se ai ishte Krishti i vërtetë, i premtuar, ishin motivi kryesor për të shkruar letrat e tij. Në ungjillin e tij, Pali zbulon për të gjithë ata që duan të dëgjojnë misterin, i cili deri në atë kohë mbahej i fshehtë, por që është zbuluar tani dhe është bërë i njohur nga shkrimet e profetëve në Dhjatën e Vjetër, siç është caktuar nga Perëndia i shenjtë i përjetshëm.
Përmbajtja e këtij misteri është se Perëndia dëshiron që popujt e papastër dhe kombet e pathirrura të mësojnë bindjen e besimit, sipas Dhjatës së Re. Kështu Zoti u ofron faljen e mëkateve të gjithë njerëzve si një hir falas, për hir të sakrificës shlyese të Jezusit. Prandaj, kushdo që e dëgjon këtë thirrje dhe pranon dhuratën e Perëndisë, shpëtohet. Megjithatë, ai që nuk bindet dënon veten.
Pali adhuroi Perëndinë, i cili është i vetmi i ditshëm. Ai dëshmoi me mirënjohje dhe përulësi se Zoti ka gjithë lavdinë dhe nderin dhe ky adhurim njerëzor u bë i mundur falë veprës, vdekjes, ringjalljes së Jezusit që mbretëron me Atin e tij në bashkimin e Frymës së Shenjtë përgjithmonë. Fjala e fundit “Amen”, me të cilën Pali e mbylli këtë letër drejtuar Romakëve, tregon se kjo është e vërteta e sigurtë, e cila me siguri do të realizohet.
LUTJE: Të falënderojmë Atë, në Birin tënd Jezus, sepse zgjodhe Palin dhe e thirre që të sjellë shpengimin tënd në kishat midis johebrenjve, gjithashtu të vuajë dhe të vdesë për shërbimin e tij. Na ndihmo të mos jemi egoistë në shpirt, por t'u sjellim shpëtimin e plotë të gjithë atyre që dëshirojnë të vërtetën, nën drejtimin e Frymës tënde të Shenjtë. Amen.
PYETJA:
- Cili është misteri që Perëndia ia zbuloi Palit, apostullit të johebrenjve?
PYETËSOR - 4
I dashur lexues,
Pasi të kesh lexuar komentet tona mbi Letrën e Palit drejtuar Romakëve në këtë libërth, do të jesh në gjendje t’u përgjigjesh pyetjeve të mëposhtme. Nëse u përgjigjesh 90% të pyetjeve këtu poshtë, do të të dërgojmë pjesën tjetër të serisë për rritjen tënde. Të lutemi, mos harro të shkruash qartë emrin tënd të plotë dhe adresën e saktë në fletën e përgjigjeve.
- A i je përkushtuar tërësisht Jezusit, Shpëtimtarit tënd, apo je ende egoist dhe jeton për veten tënde?
- Cilat janë hapat e jetës së shenjtë te ndjekësit e Jezusit?
- Cilin nga shërbimet e sipërpërmendura e konsideroni si më thelbësorin sot?
- Cilin kuptim të dashurisë së Perëndisë e konsideroni si më të rëndësishmin dhe më të nevojshmin në bashkësinë tuaj?
- Si t’i falim armiqtë tanë dhe si t’ia dalim pa urrejtjen dhe hakmarrjen tonë?
- Cilët janë kufijtë e autoritetit të çdo qeverie; dhe pse duhet t’i bindemi Perëndisë dhe jo njerëzve?
- Si e shpjegoi Pali praktikisht urdhërimin: ”Duaje të afërmin tënd si vetveten?”
- Cilat janë virtytet tek të cilat na çon njohja e ardhjes së afërt të Krishtit?
- Çfarë duhet të mendojmë apo themi, nëse ndonjë ndjekës i Krishtit ka një mendim të ndryshëm për disa tema dytësore të jetës?
- Cili është kuptimi i vargut : “Mbretëria e Perëndisë nuk është ngrënia dhe pirja, por drejtësia, paqja dhe gëzimi në Frymën e Shenjtë”?
- Cili është kuptimi i vargjeve 5 dhe 6 të kapitullit 15 të Letrës drejtuar Romakëve?
- Si e priste Pali të kapërcente dallimet thelbësore në kishën e Romës?
- Çfarë bëri Pali në letrën e tij, të cilën ai e konsideroi si të pjesshme?
- Cili është sekreti në shërbesat e apostullit Pal?
- Pse Pali, para udhëtimit të tij në Spanjë, donte të shkonte në Jeruzalem, pavarësisht se i njihte problemet dhe rreziqet e shumta që e prisnin atje?
- Çfarë mësojmë nga emrat e anëtarëve të kishës në Romë?
- Çfarë mësojmë nga emrat e shenjtorëve të përmendur në listë?
- Cili është fokusi i tundimeve të djallit?
- Cili është personi të cilit Pali i diktoi Letrën drejtuar Romakëve?
- Cili është misteri që Perëndia ia zbuloi Palit, apostullit të johebrenjve?
Nëse kompleton studimin e të gjithë libërthave të serisë mbi Romakët dhe na dërgon përgjigjet e tua në fund të çdo libri, do të të dërgojmë një
Çertifikatë të Studimeve të Përparuara
në kuptimin e Letrës së Palit drejtuar Romakëve
si inkurajim për shërbesat tuaja të ardhshme në Krishtin. Të inkurajojmë të përfundosh me ne hetimin e Letrës së Palit drejtuar Romakëve që të marrësh një thesar të përjetshëm. Presim përgjigjet e tua dhe lutemi për ty. Adresa jonë është:
Waters of Life
P.O.Box 600 513
70305 Stuttgart
Germany
Internet: www.waters-of-life.net
Internet: www.waters-of-life.org
e-mail: info@waters-of-life.net