Previous Lesson -- Next Lesson
3. Perëndia mbetet i drejtë edhe nëse shumica e Izraelit do të ishte kundër tij (Romakëve 9:6-29)
Pali ishte apostulli i lumtur në shërbim të Zotit Jezus. Por, në të njëjtën kohë, ishte zhytur në trishtim të thellë dhe në presion në rritje, sepse pa qindra jobesimtarë nga johebrenjtë të rigjeneroheshin dhe të pranoheshin në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa mijëra hebrenj të zgjedhur përbuznin Jezusin dhe mbretërinë e tij, duke ia mbathur larg tij dhe nuk dëshironin ta dëgjonin apo ta ndiqnin.
a) Premtimet e Perëndisë nuk kanë të bëjnë me farën natyrore të Abrahamit (Romakëve 9:6-13)
ROMAKËVE 9:6-13
6 Por kjo nuk do të thotë se fjala e Perëndisë ra poshtë. Sepse jo të gjithë që janë nga Izraeli janë Izraeli. 7 As sepse janë pasardhësit e Abrahamit; janë të gjithë bij, por vetëm bijtë e premtimit numërohen si pasardhës: "Në Isakun do të thirret pasardhja jote". 8 Do të thotë, ata që janë bijtë e mishit, nuk janë bij të Perëndisë; por bijtë e premtimit numërohen si pasardhës. 9 Sepse kjo është fjala e premtimit: "Në këtë kohë unë do të vij dhe Sara do të ketë një djalë". 10 Dhe jo vetëm kjo, por edhe Rebeka u ngjiz nga një njeri i vetëm, nga ati ynë Isaku 11 (për fëmijët që nuk kishin lindur ende, as nuk kishin bërë ndonjë të mirë a të keqe, që qëllimi i Perëndisë sipas zgjedhjes të qëndronte i patundur, jo sipas veprave, por prej Atij që thërret), 12 iu tha: "I madhi do t'i shërbejë më të voglit". 13 Siç është shkruar: "Unë e kam dashur Jakobin, por Ezaun e kam urryer".
Pali, eksperti ligjor, donte të sqaronte këtë të vërtetë, e cila ishte e çuditshme si për hebrenjtë, ashtu edhe për të krishterët me origjinë hebreje në Romë. Ai u shkroi atyre se fjala e Perëndisë është e vetmja e vërtetë, e cila mund të sqarojë këtë zhvillim të çuditshëm, i cili mban përgjigjen e saktë për këtë sekret. Kjo përgjigje ka dy aspekte:
Së pari: Jo të gjithë bijtë e Abrahamit janë bij të premtimit. Perëndia nuk e zgjodhi Ismaelin si një nga paraardhësit e Krishtit. Ismaeli dhe të gjithë bijtë e Abrahamit në vijim mbetën jashtë vijës fetare dhe jashtë zgjedhjes së bijve të Jakobit. Nga ky zhvillim mësojmë se fara natyrore e njeriut nuk vendos për të ardhmen e tij shpirtërore. Jo çdokush që lind i krishterë bëhet menjëherë i krishterë i vërtetë, por ka nevojë për kthim personal te Perëndia. Perëndia nuk ka nipër, por bij.
Kjo e vërtetë na sqaron se jo të gjithë judenjtë e zgjedhur janë fëmijë të Perëndisë, por vetëm ata që hapen me dashje ndaj ungjillit të Krishtit. E drejta e Abrahamit për birësim u është vendosur atyre, por realizimi i saj varet nga vullneti i individëve.
Së dyti: Lexojmë në Biblën e Shenjtë se fryma i kishte thënë Rebekës, gruas së Isakut, përpara se ajo të lindte binjakët e saj, se binjaku më i madh do t'i shërbente më të voglit (Zanafilla 25:23). Që të dy ishin bij të të njëjtit baba. Por Perëndia e dinte që më parë se qelizat dhe gjenet do të zhvilloheshin në secilin prej tyre në mënyrë të ndryshme.
Megjithatë, Perëndia zgjodhi Jakobin, më të voglin, dhe hodhi poshtë vëllain e tij të madh Ezaun. Ndonëse Jakobi nuk ishte moralisht më i mirë se Ezau, ai megjithatë gëzoi aftësinë për të besuar në mënyrë më të efektshme se Ezau dhe u pendua sinqerisht, fakt që Bibla nuk e përmend për Ezaun. Kjo ngjarje na shpjegon se zgjedhja e njeriut, sipas paracaktimit të tij, varet nga gjithëdija e Perëndisë dhe vullneti i tij.
Askush nuk duhet të fajësojë Perëndinë që nuk e ka zgjedhur, sepse nuk i dimë misteret e vetes sonë, apo trashëgiminë në trupat tanë. Perëndia është i shenjtë, i drejtë dhe i patëmetë në vendimin e tij.
Disa teologë shohin se përzgjedhja e Perëndisë nuk ka të bëjë fare me qënien njerëzore, apo veprimet e njeriut, por varet vetëm nga vendimi i Krijuesit; dhe se njeriu nuk mund t'i njohë motivet dhe planet e Perëndisë. Jo të gjithë janë dakord me këtë pikëpamje, sepse Perëndia ynë është Ati që nuk është vetëm i shenjtë, por edhe i dashur dhe i dhembshur.
Gjatë shërbimit të tij, Jezusi tha fjalët vendimtare: «Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin. Dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme” (Gjoni 10:27-28). Jo të gjithë e dëgjojnë zërin e tij dhe jo kushdo që e dëgjon zërin e tij i përgjigjet atij ose vepron sipas urdhrave të tij. Ne gjejmë njerëz të një klani, të një kombi, madje edhe të një familjeje, që e dëgjojnë ungjillin dhe nuk e kuptojnë atë, ndërsa të tjerët mbushen me gëzimin dhe paqen e tij.
LUTJE: O At qiellor, ne të falënderojmë sepse zgjodhe Isakun dhe Jakobin dhe i bëre gjyshërit e birit tënd Jezus, megjithëse ata në fakt nuk ishin shenjtorë. Të lutemi forcoje besimin tonë që mund të kapërcejmë, në emrin tënd, vështirësitë që vijnë, si dhe të keqen në veten tonë dhe na drejto në përulësi dhe vetëmohim, që të mos e vlerësojmë veten më shumë se të tjerët.
PYETJET:
- Cili është kuptimi i përzgjedhjes së Isakut të farës së tij dhe përzgjedhjes së Jakobit të bijve të tij?
- Cili është sekreti i përzgjedhjes së Perëndisë?