Previous Lesson -- Next Lesson
b) Njeriu nuk shfajësohet nga rrethprerja (Romakëve 4:9-12)
ROMAKËVE 4:9-12
9 A vjen atëherë ky bekim vetëm mbi të rrethprerët, apo edhe mbi të parrethprerët? Sepse ne themi se besimi iu numërua Abrahamit për drejtësi. 10 Si iu numërua atëherë? Ndërsa ishte i rrethprerë apo i parrethprerë? Jo ndërsa ishte i rrethprerë, por kur ishte i parrethprerë. 11 Dhe ai mori shenjën e rrethprerjes, si një vulë të drejtësisë së besimit që kishte pasur kur ishte ende i parrethprerë, që të mund të bëhej ati i të gjithë atyre që besojnë, megjithëse janë të parrethprerë, që edhe atyre t'u numërohet drejtësia, 12 dhe ati i rrethprerjes për ata që jo vetëm janë të rrethprerë, por edhe ecin në hapat e besimit që pati ati ynë Abrahami, kur ishte ende i parrethprerë.
Pali sulmoi besimet e judenjve dhe theu një nga parimet e tyre të shenjta, që është rrethprerja. Njerëzit e shkretëtirës e konsideruan këtë shenjë një nga simbolet më të mëdha të besëlidhjes së vjetër. Ai që ishte rrethprerë konsiderohej si i Perëndisë dhe ai që ishte i parrethprerë konsiderohej si blasfemues. Prandaj, hebrenjtë kërkuan që çdo besimtar i ri të rrethpritej, si shenjë e pastrimit të tij origjinal, i cili do ta kualifikonte atë për të hyrë në besëlidhje me Perëndinë.
Pali u vërtetoi judenjve të rreptë, nëpërmjet sjelljes së Abrahamit se njeriu shfajësohet jo me rrethprerjen, por vetëm me besimin; pasi vetë Abrahimi e kishte dëgjuar thirrjen e Zotit të tij dhe e besoi para se të rrethpritej. Kështu, besimi i tij ishte shkaku dhe themeli i drejtësisë së tij. Rrethprerja për të ishte një vulosje dhe jo një e drejtë për t'u kthyer te Perëndia dhe kjo nuk e ndihmoi sepse ai tashmë kishte hyrë në një besëlidhje me Perëndinë me anë të besimit.
Pali guxoi të thoshte se Abrahami ishte bërë së pari baba i të gjithë besimtarëve me origjinë johebreje, përpara se të bëhej baba i të rrethprerëve, sepse ishte shfajësuar kur ishte johebre, në parrethprerje. Me këtë argument, Apostulli i Johebrenjve vërtetoi se johebrenjtë besimtarë janë më afër Perëndisë se sa të rrethprerët që nuk besojnë në Krishtin. Perëndia përlëvdohet me besim të sinqertë dhe ndryshimin e mendjes dhe jo me simbole fizike dhe rite zakonore.
Judenjtë u ndezën nga zemërimi kur Pali u sqaroi vet-mashtrimin e tyre dhe hodhi poshtë sigurinë e tyre të rreme. Megjithatë, ai u dëshmoi judenjve fanatikë se ata gjithashtu mund ta fitonin Abrahamin si një baba për ta, nëse do të besonin në ungjillin e hirit. Rruga që të çon te Perëndia nuk është as origjina, as rrethprerja, por besimi tek i Kryqëzuari. Kjo do të thotë për ne se jo çdo i krishterë i pagëzuar është i drejtë për shkak të pagëzimit të tij, veç nëse beson në të vërtetë, sepse njeriu shfajësohet para Perëndisë, jo me rite dhe simbole, por vetëm me besim të sinqertë.
LUTJE: O At i Shenjtë, ne nuk jemi të denjë të vijmë te ti, për shkak të korrupsionit dhe gabimeve tona. Por Biri yt i dashur ka zbuluar dashurinë e tij për ne dhe na ka shfajësuar në kryq dhe ne besojmë në fjalën e tij, dëshirojmë personin e tij, duam të ndërtohemi mbi shpëtimin e tij dhe të ndjekim shembullin e tij, sepse ti na shfajësove dhe na shenjtërove lirisht me të gjithë ata që të duan në këtë botë.
PYETJA:
- Pse njeriu nuk shfajësohet nga rrethprerja, por vetëm nga besimi?