Previous Lesson -- Next Lesson
6. Themelimi i kishës në Berea (Veprat 17:10-15)
VEPRAT 17:10-15
10 Atëherë vëllezërit i nisën menjëherë Palin dhe Silën natën për në Berea. Kur arritën, hynë në sinagogën e Judenjve. 11 Këta ishin më fisnikë nga ndjenjat se ata në Thesaloniki, sepse e pranuan fjalën me gatishmëri të plotë duke i shqyrtuar çdo ditë Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu. 12 Prandaj shumë prej tyre besuan dhe jo pak nga Grekët, gra të shquara dhe burra. 13 Por kur judenjtë e Thesalonikut, mësuan se fjala e Perëndisë ishte shpallur nga Pali në Berea, erdhën edhe atje dhe turbulluan turmat. 14 Atëherë vëllezërit e nisën menjëherë Palin për të shkuar në drejtim të detit; por Sila dhe Timoteu mbetën aty. 15 Ata që e prinin Palin, pra, e çuan deri në Athinë; dhe, pasi morën porosi për Silën dhe Timoteun që të vinin tek ai me shpejtësi, u nisën.
Pali shkoi nga një qytet në tjetrin për Krishtin. Jeta e tij ishte si një zinxhir telashesh dhe secila hallkë e këtij zinxhiri ishte e ngjashme me tjetrën, përveç disa përjashtimeve të rastësishme. E kishte zakon të shkonte nëpër qytete duke u lutur me shokët e tij, duke preferuar kryeqytetet në vend të fshatrave. Kërkonte fillimisht një sinagogë të Judenjve, sepse ishte gjithmonë mënyra e tij të fillonte me Judenjtë, t'u bënte atyre ofertën e parë të Ungjillit dhe t'i predikonte atyre Jezusin e kryqëzuar dhe të gjallë. Ata nga ana e tyre e shqyrtonin doktrinën e tij të re nën dritën e Shkrimeve të Shenjta dhe të Profetëve. Disa prej tyre besuan, veçanërisht johebrenjtë e arsimuar që pranuan me entuziazëm fuqinë e doktrinës së re dhe vazhduan në pajtimin e Krishtit.
Judenjtë u zemëruan sepse nuk ishin të kënaqur me mendimin e Qengjit të butë të Perëndisë, por donin një Krisht politik mbizotërues që e ndërton mbretërinë e tij mbi ligjin. Kështu shpërthyen zjarret e mosmarrëveshjeve, urrejtjes, persekutimit, torturave të përhershme, kërcënimeve për vdekje të dhimbshme, dëbimit dhe arratisjeve të pafundme. Ajo që mbeti në qytetin e shërbimit të apostullit ishte një kishë e vogël e gjallë e krishterë që njohu dhe besonte se Krishti ishte Jezusi i Nazaretit, i cili vendosi te pasuesit e tij jetën e Perëndisë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Këto kisha të reja shpesh vuanin kur Pali ishte përzënë përmes persekutimeve të dhunshme, siç lexohet në tekstin e Letrës drejtuar Thesalonikasve (1 Thesalonikasve 2:14; 3:1-4; 2 Thesalonikasve 1:4).
Vëllezërit në Selanik e shoqëruan Palin në një qytet të vogël të quajtur Berea, rreth 70 kilometra në perëndim të Selanikut, duke supozuar se ai do të ishte më i sigurtë atje sesa në qytetet e mëdha me qendrat e tyre të komunikimit të përgjithshëm. Por Pali nuk kujdesej për sigurinë e tij. Zemra e tij digjej për Jezusin, sepse ai kishte parë lavdinë e tij të vërtetë. Dashuria e tij për johebrenjtë e detyroi të predikonte shpëtimin që shumë të mund të ktheheshin në besim.
Judenjtë në Berea ishin të përgatitur të dëgjonin mendimin e ri. Ata kërkuan nëpër librat e vjetër dhe fituan përmes këtij depërtimi të thellë jetën e përjetshme me ata që jetonin në rrethinat e tyre me mall për mesazhin, i cili ngushëllonte zemrat. Kjo është një mënyrë tipike për të predikuar, por nuk është mënyra e vetme për të arritur tek Jezusi. Ai që depërton me dëshirë thellë në fjalën e Perëndisë, përjeton se kjo fjalë krijon në vetvete pastrimin, shfajësimin, dashurinë, shenjtërimin, fuqinë dëshmuese dhe pritjen e ardhjes së Krishtit. Vëlla i dashur, kapërceje lodhjen dhe dembelizmin tënd, thyeje kundërshtimin në vetvete kundër fjalës së Zotit dhe mbushe zemrën me fjalët e Krishtit dhe do të bëhesh një njeri i lumtur, duke u bërë si një burim i dashurisë së Zotit në rrethinën tënde, sepse mendimi dhe shpirti brenda teje do të rrjedhin gjithashtu prej teje.
Predikimi i Palit krijoi kisha të përziera të të krishterëve hebrenj dhe johebrenj, në të cilat mbizotëronin ndarjet midis popujve dhe kulturave, midis perëndimit dhe lindjes. Për shkak se dashuria e Krishtit është fuqia triumfuese në të gjithë besimtarët dhe sepse ky triumf shpirtëror dhe rritja e butë janë një gjemb i dëmshëm në sytë e Satanit, ky i fundit bëri çdo përpjekje për të shkatërruar kishat nga brenda dhe nga jashtë. Judenjtë fanatikë erdhën nga Selaniku të ndezur nga inati dhe tronditën me gënjeshtrat e tyre të rinjtë e posakthyer në besim, duke u përpjekur të shkatërronin bashkësinë e dashurisë që të mund ta persekutonin me dhunë Palin.
Pastaj shpirti i butë dhe paqësor u shfaq në këta burra. Para përplasjes, ata e shoqëruan Palin deri në det në një distancë prej 40 kilometrash dhe e futën me shpejtësi në një anije që të këqijat e të urryerëve të mos e goditnin. Pali erdhi i vetëm në Berea, duke lënë shoqërinë e tij në Selanik për të forcuar kishën. Tani, e lë Berean vetëm kur merr rrugën e tij për në Athinë, qendra intelektuale më e famshme në botë dhe vendtakimi i filozofëve dhe studiuesve që kënaqeshin po aq me krenarinë dhe cektësinë e jetës, sepse athinasit besonin se mund të hetonin të gjitha misteret e botës me mendjet e tyre. Por nuk e njihnin Frymën e Shenjtë të Zotit që u ringjall prej së vdekurish.
Pali nuk kishte as turp dhe as frikë të shfaqte fytyrën e tij mes filozofëve atje. Ndjeu se po hynte në një mosmarrveshje të gjatë e cila do ta lëvizte kishën vazhdimisht në historinë e saj gjatë njëmijë vjeçare, sepse filozofia pa Perëndinë dhe mesazhi i ungjillit është si drita dhe errësira, parajsa dhe ferri, frymëzimi hyjnor dhe dinakëritë djallëzore. Pali nuk donte të hynte në këtë luftë parimore vetëm me shpirtrat, pasi e dinte me siguri se nuk ishte një gjeni, por një anëtar i trupit të Krishtit. Ai i kërkoi Silës dhe Timoteut, bashkëpunëtorëve të tij që të vinin menjëherë nga Selaniku në Athinë. Kështu që Pali kërkoi ndihmën e shokëve të tij për të luftuar me shpirtrat e ndyrë, ashtu si Jezusi u kërkoi dishepujve të tij në Gjetsemani të rrinin zgjuar dhe të luteshin me të. Por, ashtu si Zoti Jezus duhej ta përballonte vetëm këtë konflikt dhe të pinte vetëm kupën e zemërimit të Perëndisë, kështu Pali duhej të udhëtonte vetëm për në Athinë dhe të duronte talljen e mendimtarëve, përbuzjen e njerëzve dhe urtësinë e tyre njerëzore.
LUTJE: Të falënderojmë Zoti ynë Krisht, sepse e inkurajove Palin herë pas here që të mos kujdesej për persekutimet dhe vuajtjet, por të lavdëronte emrin tënd të shenjtë. Na pastro, o Zot, për shërbimin dhe na mbush me motivin e dashurisë sate, që të mos kemi frikë nga askush, asnjë shpirt apo doktrinë, por t'u predikojmë shpëtimin tënd të gjithë atyre që kanë mall për ty.
PYETJA:
- Si e kishte zakon Pali të predikonte kur hynte në një qytet?