Previous Lesson -- Next Lesson
d) Besimi i guximshëm i Abrahamit është shembulli ynë (Romakëve 4:19-25)
ROMAKËVE 4:19-22
19 Dhe duke mos qenë aspak i dobët në besim, ai nuk e konsideroi trupin e tij, tashmë të vdekur (që ishte rreth njëqind vjeç) dhe as barkun e vdekur të Sarës. 20 Ai nuk u lëkund nga mosbesimi në lidhje me premtimin e Perëndisë, por u forcua në besim, duke i dhënë lavdi Perëndisë, 21 dhe duke qenë plotësisht i bindur se atë që kishte premtuar ishte gjithashtu në gjendje ta bënte. 22 Dhe për këtë arsye edhe kjo "iu numërua atij për drejtësi".
Abrahami dëgjoi fjalën e Perëndisë për të ardhmen se ai ishte zgjedhur si ati i shumë popujve. Kjo fjalë e zbulesës duhet ta ketë habitur Abrahamin, i cili nuk kishte djalë. Por ai e pranoi me besim. Ai besonte se Perëndia jep shpresë kur të gjitha shpresat njerëzore humbasin. Abrahami kishte dështuar tashmë në luftën e tij për besimin, kur lindi Ismaelin nga skllavja egjiptiane. Tani, duke qenë se dukej e pamundur që gruaja e tij e plakur të lindte një fëmijë, ai nuk pa ligjet e natyrës, por Krijuesin e natyrës, i cili mund të ndryshonte vet ligjet e natyrës. Abrahami nuk e mashtroi veten me mendimin se e kishte të pamundur të kishte një djalë nga Sara, gruaja e tij; por e inkurajoi besimin e tij, e mbajti fort fjalën e Perëndisë, u mbështet në të vërtetën e përjetshme dhe e dinte me siguri se Zoti i lavdisë nuk gënjen dhe se ai nuk mund të mos e mbante premtimin e tij, edhe nëse mendja njerëzore nuk do të gjente mënyra për të përmbushur premtimin.
Kjo mbajtje e fortë e besnikërisë së Perëndisë në këtë luftë besimi iu numërua Abrahamit si drejtësi (Zanafilla 15:1-6; 17:1-8).
Krishti ju thërret, sot, për të marr pjesë në besimin e Abrahamit. Ndërsa shohim veten dhe depërtojmë thellë në kishat tona, zbulojmë se shoqëritë tona janë shpirtërisht të lodhura, të paafta dhe të vdekura. Megjithatë, Krishti dëshiron t'u japë jetë të përjetshme miliona njerëzve nëpërmjet besimit tuaj dhe timit. Ai dëshiron të bekojë dëshmitë tona që dashuria e tij të mund të mishërohet dhe shumëfishohet si yjet në qiell. A besoni në premtimin dhe thirrjen e Jezusit se do të keni fëmijë shpirtërorë me fjalën e besimit tuaj? A keni besim se ai është në gjendje të kapërcejë paaftësinë tuaj, të ringjallë kishën tuaj të vakët dhe të ngrejë nga këta gurë, të hedhur në shkretëtirë, fëmijë Abrahamit, nëse pendoheni sinqerisht? A e nderoni Zotin? A mbështeteni te Zoti i lavdisë dhe a besoni tek ai, në vend që të bëheni pesimist për kishën tuaj të vakët dhe sjelljet tuaja të mbrapshta? Ai është në gjendje t'ju përdorë për të çuar fuqinë e jetës së tij te shumë njerëz. Jini të sigurtë se Perëndia i Abrahamit, Zoti i Palit është i njëjti dje, sot dhe përgjithmonë. Ai pret besimin tënd, sepse kjo është fitorja që ka mundur botën - besimi ynë. Mos fli! Mos e humb shpresën, nëse lufta e besimit tënd do të zgjasë për vite o dhjetëra vite, siç ndodhi në jetën e Abrahamit, derisa më në fund të piqej në të një fryt i vogël, që ishte Isaku zemërbutë. Megjithatë, Zoti e forcoi atë në frymë dhe e bëri atë atin e profetëve. Zoti juaj është i gjallë dhe dëshiron t'ju justifikojë me besimin tuaj. Pra, ngrini zemrën tuaj, forconi duart e këputura dhe gjunjët e dobësuar, sepse Zoti është i gjallë dhe ai ecën para teje në luftën tënde shpirtërore.
ROMAKËVE 4:23-25
23 Tani kjo nuk u shkrua vetëm për të që kjo i ishte numëruar, 24 por edhe për ne, të cilëve do të na numërohet, neve që besojmë në atë që ka ringjallur prej së vdekurish Jezusin, Zotin tonë, 25 që u dorëzua për shkak të shkeljeve tona dhe u ringjall për shfajësimin tonë.
Njohuria e besimit tonë u rrit në një siguri të plotë, në lidhje me zbulesën ndaj Abrahamit. Sot, Perëndia jo vetëm që shfaqet si i plotfuqishëm, i madh dhe i fshehur, por na ka dërguar Birin e tij Jezusin që të njohim në dashurinë e tij Perëndinë atëror. Ajo që dukej e pamundur ndodhi dhe Biri i vetëm i Perëndisë vdiq për të fshirë mëkatet tona. Zoti i shenjtë nuk i shkatërroi mëkatarët për shkak të krimit të tyre, por shkatërroi veten që ne që jemi të këqij të mund të shpëtojmë. Ky lloj perëndie i mëshirshëm, i dashur, vetëmohues, dhurues, i durueshëm është Perëndia ynë.
Kur Krishti u ringjall nga të vdekurit, u shfaq triumfi i sakrificës së tij. Ati i tij nuk e la atë, kur ai kishte derdhur gjithë zemërimin e tij mbi qengjin e kryqëzuar, por e ringjalli Birin e tij të pafajshëm dhe dëshmoi qartë se sakrifica e tij unike ishte në përputhje me vullnetin e tij hyjnor. Kështu, ringjallja e Krishtit konfirmon të vërtetën e shfajësimit tonë. Është e pamundur që Krishti të ngjitej në qiej para varrimit të tij dhe të bëhej një mik i ngushtë i Perëndisë. Jo! Perëndia e ringjalli atë nga vdekja e tij që ne të mund të shohim dhe të jemi të sigurtë se pajtimi midis Perëndisë dhe botës u krye në kryq.
Sot, Ndërmjetësi ynë i vetëm ulet në të djathtën e Perëndisë. Ai ndërmjetëson mes të Shenjtit dhe nesh dhe kupton rezultatet e sakrificës së tij, që ne të mos shqetësohemi në besimin tonë, por të vazhdojmë të besojmë se Krishti është në gjendje të shpëtojë deri në fund ata që vijnë te Perëndia nëpërmjet tij, pasi ai jeton përgjithmonë për të ndërmjetësuar për ta.
Pra, ku mbështetet besimi juaj, në të gjitha problemet, frikërat dhe rreziqet? Ku është shpresa juaj në lidhje me ardhjen e mbretërisë së Perëndisë sot dhe rilindjen e miliona personave? Krishti na ka pajtuar me Perëndinë dhe sot ai jeton për të vërtetuar justifikimin tonë me ndërmjetësimin e tij. Beso se rrjedhat e ujërave të gjalla rrjedhin nga besimi yt në zemrat shterpe dhe të vdekura. Beso dhe mos dysho kurrë, sepse Krishti jeton vërtet.
LUTJE: O Zot Perëndi, ti jeton dhe na dërgon të predikojmë botën. Abrahami, shërbëtori yt, besoi se ai dhe Sara, në pleqërinë e tyre, mund të lindnin një fëmijë të mëshirës sate, nëpërmjet të cilit të gjithë popujt do të bekoheshin. Kapërce besimin tonë të vogël dhe forcoje besimin tonë që të mund të të besojmë ty kundër tundimeve tona që fuqia jote të mund të përsoset në dobësinë tonë. Faleminderit sepse na konfirmon se miliona do të rilindin sërish në këto ditë, sepse ti jeton dhe mbretëron përgjithmonë.
PYETJA:
- Çfarë mësojmë nga beteja e besimit të Abrahamit?
Të shfajësuar, pra me anë të besimit,
kemi paqe me Perëndinë
Nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë.
(Romakëve 5:1)