Previous Lesson -- Next Lesson
3. Të gjithë njerëzit janë të korruptuar dhe të fajshëm (Romakëve 3:9-20)
ROMAKËVE 3:9-10
9 Po pastaj? A jemi ne më të mirë se ata? Aspak. Sepse ne i kemi akuzuar më parë si Judenjtë ashtu edhe Grekët se janë të gjithë nën mëkat. 10 Siç është shkruar: “Nuk ka asnjë të drejtë, as edhe një.
Pali përmblodhi ankesën e tij kundër judenjve dhe johebrenjve në emër të Perëndisë dhe u vërtetoi atyre se askush nuk ka ndonjë preferencë ose avantazh ndaj tjetrit. Të gjithë kanë mëkatuar dhe mëkatet e tyre janë të prekshme. Ata lanë rrugën e drejtë të Zotit dhe u bënë skllevër të mëkatit, të lidhur nga epshet dhe vetmashtrimi i tyre. Pali e përfshiu veten në ankesën e tij, duke na rrëfyer se ishte mëkatar.
A keni parë ndonjëherë ndonjë gjë kaq të neveritshme sa t’ju përzihet? Mëkati yt është aq i neveritshëm sa ta bën frymën dhe shpirtin të përzihet nga vetja. Krahasojeni veten me ankesën e Palit dhe do të kuptoni se jeni pikërisht ai që përshkruhet në të.
ROMAKËVE 3:11-12
11 “Nuk ka njeri që kupton; nuk ka asnjeri që e kërkon Zotin. 12 Të gjithë kanë dalë nga rruga e tij; ata së bashku janë bërë të padobishëm; nuk ka asnjë që bën mirë, jo, as edhe një.
Ne jemi të gjithë të papastër përpara shenjtërisë së ndritur të Perëndisë. Nuk ka asnjë të drejtë përveç Krishtit. Mendjet tona janë të rrethuara me mjegull të dendur dhe ne nuk jemi në gjendje ta shohim Perëndinë, standardin tonë madhështor, ashtu siç është. Ne nuk e njohim tmerrin e mëkatit tonë. Ah sikur njerëzit ta kërkonin lavdinë e Perëndisë që të bëheshin të mençur! Megjithatë, secili merr rrugën e tij, duke u kapur pas nderit të vet, i lidhur nga epshi i tij dhe duke kërkuar lehtësi. Të gjithë njerëzit e humbën rrugën e Zotit të tyre dhe askush nuk ecën në rrugën e drejtë. Ju nuk jeni aspak të mirë në sjelljet tuaja. Të gjithë janë larguar, janë bërë të padobishëm dhe kanë humbur rrugën. Ne jemi të gjithë të këqij në natyrë dhe ndërgjegjja juaj e njeh veten plotësisht.
ROMAKËVE 3:13
13 "Gryka e tyre është një varr i hapur; me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime"; "Helmi i gjarpërinjve është nën buzët e tyre".
Korrupsioni i njerëzve duket në gjuhët e tyre. Të gjithë jemi vrasës e kasapë, sepse me gjuhët tona të mprehta shkaktojmë shkatërrimin dhe prishjen e reputacionit, lumturisë dhe qetësisë së të tjerëve; e helmojmë atmosferën me gënjeshtra, akuza, sharje dhe shaka të paturpshme; dhe pastaj ankohemi kundër udhëzimeve të Zotit. Kundërshtimi ynë është si blasfemi e hidhur në gojën tonë. Ne jemi të pabindur ndaj disiplinës së Perëndisë dhe nuk e dimë se nuk meritojmë gjë tjetër veç goditjeve të rënda dhe gjykimit të domosdoshëm.
ROMAKËVE 3:14-17
14 "Goja e të cilëve është plot mallkim dhe hidhërim”. 15 Këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak, 16 në rrugët e tyre ka shkatërrim dhe mjerim, 17 dhe rrugën e paqes nuk e kanë njohur.
Urrejtja jonë nuk ndryshon shpejt, sepse ne nuk i duam armiqtë tanë, por dëshirojmë të heqim qafe njerëzit e ashpër. Popujt që urrejnë armiqtë e tyre derdhin lumenj gjaku, sepse njeriu në tërbimin e tij shndërrohet në bishë. Nuk ka paqe në ne, pavarësisht nga të gjitha bisedat tona llafazane për paqen. Të gjithë njerëzit janë vrasës dhe zemrat e tyre janë të mbushura me përbuzje, neveri dhe mendjemadhësi, sepse ata nuk e dinë se Zoti është dashuria, e vërteta dhe pastërtia. Ata e humbën ndjenjën e së vërtetës dhe nuk kanë as standard e as prehje, por e kanë hedhur veten në një situatë kritike.
ROMAKËVE 3:18
18 Nuk ka frikë nga Zoti para syve të tyre."
Të gjithë ata që nuk e njohin Perëndinë janë të marrë; dhe të gjithë ata që nuk kanë frikë prej tij janë pa dituri, sepse frika e Zotit është fillimi i diturisë dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia. Mosbesimi po rritet këto ditë dhe njerëzit sillen sikur nuk ka zot. Nuk është çudi, pra, që mëkati është i shumtë dhe e ngre kokën paturpësisht në rrugë, në revista dhe në zemra!
ROMAKËVE 3:19-20
19 Tani e dimë se çdo gjë që thotë ligji, ua thotë atyre që janë nën ligj, që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota të bëhet fajtore përpara Perëndisë. 20 Prandaj, me anë të veprave të ligjit, asnjë mish nuk do të shfajësohet në sytë e tij, sepse me anë të ligjit është njohja e mëkatit.
Të perëndishmit e Dhjatës së Vjetër janë vetëm mëkatarë, sepse Ligji i çoi te njohja e mëkatit. Është e vërtetë që Ligji na premton të gjitha bekimet e qiellit nëse i mbajmë urdhërimet, por asnjë njeri nuk mund ta përmbushë këtë kusht; dhe sa herë që përpiqemi të rindërtojmë me përpjekjet tona, angazhimet tona të liga shfaqen në gjakun tonë. Ne të gjithë e meritojmë ndëshkimin e Zotit dhe të gjitha bamirësitë tona janë të ndotura me egoizmin tonë dhe nuk gjejmë asnjë favor te Perëndia. A jeni dakord me këto parime të apostullit Pal? Lexoni edhe një herë atë që shkroi Pali që të mund të bëheni të matur dhe të thyer.
LUTJE: O At qiellor, të falënderojmë sepse na ke dhënë shpresë në Krishtin që të mos bëhemi as të dëshpëruar, as pesimistë. Ne jemi të gjithë të këqij në zemrat, gjuhët, duart, këmbët dhe sytë tanë; dhe zemrat tona janë të mbushura me mashtrim, urrejtje, epsh dhe gënjeshtra. Sa njeri i ndyrë që jam! Më fal mëkatin tim dhe shpalose shenjtërinë tënde para syve të mi, që mbetjet e krenarisë të thyhen tek unë dhe të adhuroj vetëm ty. O Zot, më çliro plotësisht nga mëkatet e mia.
PYETJA:
- Si i shpjegoioi apostulli mëkatet tona në mënyrë që të sqaronte korrupsionin e plotë të njerëzimit?
PYETËSOR - 1
I dashur lexues,
Pasi të kesh lexuar komentet tona mbi Letrën e Palit drejtuar Romakëve në këtë libërth, do të jesh në gjendje t’u përgjigjesh pyetjeve të mëposhtme. Nëse u përgjigjesh 90% të pyetjeve këtu poshtë, do të të dërgojmë pjesën tjetër të serisë për rritjen tënde. Të lutemi, mos harro të shkruash qartë emrin tënd të plotë dhe adresën e saktë në fletën e përgjigjeve.
- Cila është arsyeja dhe objektivi i Letrës drejtuar Romakëve?
- Kush e themeloi kishën në Romë?
- Kush e shkroi këtë letër? Ku? Dhe kur?
- Çfarë stilesh përdori Pali në letrën e tij?
- Cili është përvijimi i kësaj letre?
- Cilët janë titujt që Pali mori për vete në fjalinë e parë të letrës së tij?
- Cili është kuptimi i deklaratës se Krishti është Biri i Perëndisë?
- Çfarë është hiri dhe cila është përgjigja e njeriut ndaj tij?
- Cilin pohim në bekimin apostolik e konsideron më të rëndësishmin dhe më të efektshmin në lidhje me jetën tënde?
- Pse Pali e falenderon Perëndinë në çdo kohë?
- Si dhe sa shpesh e pengoi Perëndia Palin që të zbatonte planet e tij ?
- Cilin pohim të vargut 16 e konsideroni si më të rëndësishmin? Pse?
- Si lidhet drejtësia e Perëndisë me besimin tonë?
- Pse u shfaq zemërimi i Zotit?
- Pse njeriu që jeton pa Zotin duhet të bëjë një zot tokësor për veten?
- Cila është pasoja e adhurimit të gabuar të Perëndisë?
- Si e përshkruan Pali shfaqjen e zemërimit të Perëndisë?
- Cilat janë pesë mëkatet në katalogun e mëkateve, të cilat i konsideroni si më të zakonshmet në botën tonë sot?
- Si e dënon njeriu veten në çdo gjë që gjykon tjetrin?
- Cilat janë sekretet që Pali na zbulon për gjykimin e Perëndisë?
- Cilat janë parimet hyjnore në gjykimin e fundit?
- Si do të sillet Perëndia me johebrenjtë në Ditën e Gjykimit?
- Cilat janë privilegjet e Ligjit dhe barrët e tij mbi judenjtë?
- Cili është kuptimi i rrethprerjes në Dhjatën e Vjetër dhe të Re?
- Cilat janë pyetjet origjinale kundërshtuese në Letrën drejtuar Romakëve dhe cilat janë përgjigjet e tyre?
- Si i shpjegoi apostulli mëkatet tona në mënyrë që të sqaronte korrupsionin e plotë të njerëzimit?
Nëse kompleton studimin e të gjithë libërthave të serisë mbi Romakët dhena dërgon përgjigjet e tua në fund të çco libri, do të të dërgojmë një
Çertifikatë të Studimeve të Përparuara
në kuptimin e Letrës së Palit drejtuar Romakëve
Të inkurajojmë të përfundosh me ne hetimin e Letrës së Palit drejtuar Romakëve që të marrësh një thesar të përjetshëm. Presim përgjigjet e tua dhe lutemi për ty. Adresa jonë është:
Waters of Life
P.O.Box 600 513
70305 Stuttgart
Germany
Internet: www.waters-of-life.net
Internet: www.waters-of-life.org
e-mail: info@waters-of-life.net