Waters of Life

Biblical Studies in Multiple Languages

Search in "Albanian":
Home -- Albanian -- Acts - 026 (The Death of Ananias and Sapphira)
This page in: -- ALBANIAN -- Arabic -- Armenian -- Azeri -- Bulgarian -- Cebuano -- Chinese -- English -- French -- Georgian -- Greek -- Hausa -- Igbo -- Indonesian -- Portuguese -- Russian -- Serbian -- Somali -- Spanish -- Tamil -- Telugu -- Turkish -- Urdu? -- Uzbek -- Yiddish -- Yoruba

Previous Lesson -- Next Lesson

VEPRAT - Përparimi Ngadhënjimtar I Krishtit
Studime nga Veprat e Apostujve
PJESA 1 - Themelimi I Kishës Së Jezus Krishtit Në Jeruzalem, Jude , Samari Dhe Siri - Nën mbështetjen e Pjetrit, të udhëhequr nga Fryma e Shenjtë (Veprat 1 - 12)
A - Rritja Dhe Zhvillimi I Kishave Të Hershme Në Jeruzalem (Veprat 1 - 7)

14. Vdekja e Ananias dhe Safirës, gënjeshtarëve (Veprat 5:1-11)


VEPRAT 5:1-6
1 Por një njeri i quajtur Anania, me gruan e tij Safira, shiti një arë. 2 Dhe ai mbajti një pjesë të të ardhurave, duke e ditur edhe gruaja e tij, dhe solli pjesën e mbetur te këmbët e apostujve. 3 Por Pjetri tha: “Anania, pse Satanai të ka mbushur zemrën për të gënjyer Frymën e Shenjtë dhe për të mbajtur për vete një pjesë të çmimit të tokës? 4 Po të mbetej e pashitur, a nuk do të ngelte e juaja? Dhe ato që more nga shitja, a nuk ishin vallë në dispozicionin tuaj? Pse e keni konceptuar këtë gjë në zemrën tuaj? Ju nuk keni gënjyer njerëzit, por Perëndinë.” 5 Atëherë Anania, kur i dëgjoi këto fjalë, u rrëzua dhe dha frymën e fundit. Një frikë e madhe i zuri të gjithë ata që i dëgjuan këto gjëra. 6 Dhe të rinjtë u ngritën, e mbështollën, e morën jashtë dhe e varrosën.

Çdo mëkat i kryer nuk është vetëm një faj, por është edhe një shkelje kundër ligjit. Dhe çdo ofendim nuk është vetëm një pakujdesi, por është gjithashtu një shkelje e drejtpërdrejtë kundër lavdisë së Perëndisë. Ai që e krahason sjelljen e tij personale me sjelljen e të tjerëve, e gjykon veten sipërfaqësisht dhe njerëzisht dhe e fal veten duke thënë: “Të gjithë jemi të dobët”. Por ai që njeh Perëndinë dhe jeton në fuqinë e Frymës së Shenjtë, e di se çdo mëkat, i vogël apo i madh, meriton vdekjen e menjëhershme. Motivi i Ananias dhe Safirës është motivi ynë. Na tregon se si Perëndia ka të drejtë të na konsumojë ne besimtarët.

Ju mund të pyesni: «Pse Perëndia i shenjtë na duron dhe nuk na shkatërron menjëherë siç bëri me Ananian, i cili kishte ardhur me guxim dhe kishte dhënë një pjesë të madhe të pasurisë së tij? Ne nuk i njohim misteret e gjykimit të Perëndisë, por në (v. 2) lexojmë se çifti nuk mëkatoi pa vëmendje, por u përpoq me paramendim të mashtronte apostujt. Ata nuk besuan se i Plotfuqishmi ishte i pranishëm te Pjetri. I Shenjti jeton tek besimtarët e tij dhe i njeh zemrat.

Çifti ndoshta kishte tentuar të siguronte të ardhmen e familjes së tyre me para. Megjithëse emri "Anania" nënkupton "Perëndia është i mëshirshëm", ata nuk i mirëbesuan vetëm Perëndisë, por u përpoqën t'u shërbenin dy zotërinjve, gjë që ishte e pamundur. Ata e donin paranë më shumë se Krijuesin.

Anania dhe gruaja e tij nuk ishin të detyruar të sakrifikonin të gjithë pasurinë e tyre për kishën, sepse kontributi ishte vullnetar. Disa mbajtën një pjesë të parave të tyre për vete dhe folën për këtë publikisht dhe pa mëdyshje. Megjithatë, në rastin e Ananias dhe Safirës, të dy pretenduan perëndishmëri duke menduar se mund të fitonin një emër të lartë dhe të qëndronin kryelartë për parapëlqimin e kishës duke u dukur se kishin dhënë gjithçka, ndërkohë që në të vërtetë dhanë vetëm një pjesë. Anania erdhi në mbledhje nën pretendimin e devotshmërisë dhe përkushtimit. Ai shkoi para katedrës së apostujve dhe dha paratë e tij, sikur të ishte çliruar plotësisht dhe krejtësisht nga paratë, sikur ta kishte ofruar veten si një sakrificë të plotë për Perëndinë. Në fakt ai kishte fshehur një pjesë të parave për vehte. Jezusi e quan një sjellje të tillë "hipokrizi" ose mashtrim i bardhë që është mëkati më i urryer në kishë. Ai vjen drejtpërdrejt nga Satani, ati i gënjeshtrës.

Ne jemi të gjithë hipokritë, sepse njohim shumë nga mëkatet tona të kryera dhe pretendojmë se jemi njerëzit më të mirë në botë. Ndonëse ndërgjegjja jonë me sa duket ka regjistruar gënjeshtrat, papastërtitë, përvetësimet, trillimet dhe epshet tona, ne presim që familjet, shoqëria dhe kisha të na lavdërojnë dhe të na konsiderojnë si të përsosur, të drejtë dhe të pranueshëm. Të gjithë ne ecim si pallonj, ndërsa në fakt jemi si varre të mbushura me helm vdekjeprurës. A e sheh veten nën gjykimin e Perëndisë?

Anania dhe gruaja e tij Safira (që do të thotë "e bukura") jo vetëm që preferuan paratë ndaj Zotit dhe luajtën me hipokrizi si të gjithë njerëzit, por gjithashtu u larguan gradualisht nga linja e hirit të Krishtit. Djalli ua mbushi zemrat ashtu siç bëri me Judën. Ai që i do paratë ikën gradualisht në frontin e djallit. Në këto rrethana të dy u bënë rrezik për kishën, sepse i ligu i tundoi të përçonin fshehurazi parimet e tij të këqija si zilia, kopracia, krenaria dhe gënjeshtra në mbretërinë e Perëndisë. Deri tani bashkësia e shenjtorëve ishte një zemër dhe një shpirt. Secili iu nënshtrohej të tjerëve. Të gjithë jetonin nga providenca e Atit të tyre qiellor dhe i ofruan veten Perëndisë si një flijim të gjallë të mbushur me Frymën e Shenjtë.

Me këtë autoritet të madh, trupi i Krishtit kishte imunitetin për t'i rezistuar tundimit të djallit. Nëpërmjet dhuratës së dallimit të shpirtrave menjëherë, Pjetri parashikoi gënjeshtrën e Ananias. Ai hoqi velin nga fytyra e tij dhe e quajti mashtrimin e tij gënjeshtër ndaj Frymës së Shenjtë dhe mashtrim ndaj vet Perëndisë. Anania kishte përjetuar tashmë shpëtimin më të thellë të Krishtit, por gradualisht ra në mëkat kundër Frymës së Shenjtë.

Ky Shpirt hyjnor konfirmoi fjalët e apostullit dhe e çoi në vdekje tunduesin e Perëndisë. Duke qenë kështu, Fryma e së vërtetës nuk i fali fyerjet nëpërmjet fjalëve të apostullit, por e dënoi mëkatarin e papenduar. Perëndia ynë nuk është vetëm dashuri, por është edhe i shenjtë. Ai e do faljen. Por kushdo që ngurtësohet kundër zërit të së vërtetës dhe mbyll zemrën ndaj dashurisë hyjnore, bëhet një djall i keq në vetvete dhe ndaj tij nuk tregohet mëshirë .

Kisha origjinale ishte afër Perëndisë. Në mes të saj, Perëndia e dënoi menjëherë përfshirjen e mohuesit të besimit me Satanin. Ky gjykim nuk ishte veçse një përmbushje e urdhërimit thelbësor se paga e mëkatit është vdekja.

LUTJE: O Zot, mos më dëno. Unë jam hipokrit dhe ti i njeh mëkatet e mia dhe mbështetjen time tek paratë. Më fal të gjitha llojet e gënjeshtrave dhe më çliro nga çdo lloj hipokrizie, që të bëhem i drejtë, si ti, duke mos pasur asnjë mashtrim në gojën time. Pastroji kishat tona nga krenaria dhe mendjemadhësia dhe na shenjtëro të gjithëve me durimin tënd.

PYETJA:

  1. Pse Fryma e Shenjtë e çoi menjëherë në vdekje Ananian?

www.Waters-of-Life.net

Page last modified on July 14, 2023, at 04:07 PM | powered by PmWiki (pmwiki-2.3.3)