Waters of LifeBiblical Studies in Multiple Languages |
|
Home Bible Treasures Afrikaans |
This page in: -- Afrikaans -- ALBANIAN -- Arabic -- Armenian -- Azeri -- Bengali -- Bulgarian -- Cebuano -- Chinese -- English -- French -- Georgian -- Greek -- Hausa -- Hebrew -- Hindi -- Igbo -- Indonesian -- Javanese -- Kiswahili -- Malayalam -- Polish -- Portuguese -- Russian -- Serbian -- Somali -- Spanish -- Tamil -- Telugu -- Turkish -- Urdu? -- Yiddish -- Yoruba
Previous Lesson -- Next Lesson ROMAKËVE - Zoti Është Drejtësia Jonë
Studime në Letrën e Palit drejtuar Romakëve
PJESA 2 - Drejtësia E Perëndisë Është E Patundur Edhe Pas Ngurtësimit Të Bijve Të Jakobit, Të Zgjedhurve Të Tij (Romakëve 9:1-11:36)
2. Privilegjet shpirtërore të popullit të zgjedhur (Romakëve 9:4-5)ROMAKËVE 9:4-5 Pali donte t'i kujtonte kishës në Romë privilegjet dhe të drejtat shpirtërore të popullit të tij. Ai rrëfeu, në të njëjtën kohë, se ato privilegje nuk e ndihmuan atë dhe popullin e tij për të njohur ose pranuar Mesian e vërtetë; prandaj e urrenin, e mohuan dhe e patën zili saqë e dorëzuan të kryqëzohej, duke ngurtësuar zemrat e tyre edhe kundër Frymës së Shenjtë. Ndërsa errësira bie, jo papritur, por gradualisht, kështu ngurtësimi ra mbi popullin e tij. Cilat ishin bekimet që u përkisnin bashkatdhetarëve të Palit, të cilat i dallonin ata nga njerëzit e tjerë? Emri i tyre origjinal ishte bijtë e Jakobit, mashtruesit dhe jo bijtë e Izraelit. Por ati i tyre, i akuzuar për mëkate, nuk e la të ikte Zotin derisa ai e bekoi. Për shkak të këtij besimi të patundur Zoti ia ndryshoi emrin dhe e quajti Izrael, që do të thotë ai që luftoi me Perëndinë "El" dhe fitoi me besimin e tij. Jakobi nuk ishte fizikisht i fortë dhe as i mirë në sjellje, por në të kishte besim të patundur, i cili e shpëtoi nga zemërimi dhe gjykimi i Perëndisë (Zanafilla 32:22-32). Jakobi ishte një nga paraardhësit e Jezusit. Dhe Jezusi është Qengji i Perëndisë që hoqi mëkatet e botës dhe luftoi me Perëndinë për të na shpëtuar nga gjykimi mbi mëkatet tona. Ai u kap te Perëndia me anë të besimit dhe nuk e la atë derisa të na bekonte të gjithëve. Biri i Marisë është Shpëtimtari ynë që na çliroi nga gjykimi. Prandaj, luftëtari i vërtetë me Perëndinë nuk është Jakobi, por Jezusi, i cili është i vetmi Izrael i vërtetë që na shpengoi nga zemërimi i Perëndisë. Çifutët, të krishterët dhe muslimanët që nuk e pranuan përfaqësuesin e tyre, i cili luftoi për ta, as nuk do të marrin pjesë në bekimet e tij dhe as nuk do t'i përkasin popullit të tij shpirtëror të zgjedhur. Ky fakt e mbushi zemrën e Palit me pikëllim, sepse ai pa se shumica e popullit të tij nuk i njihte të drejtat e premtuara, por i refuzuan me kokëfortësi në verbërinë e tyre shpirtërore dhe krenarinë e tepruar. Zoti e urdhëroi Moisiun të shkonte te Faraoni i Egjiptit dhe t'i tregonte se bijtë e Jakobit ishin të parëlindurit e tij (Eksodi 4:22; Ligji i Përtërirë 14:1, 32:6; Osea 11:1-3). Zoti vuajti nga kokëfortësia e bijve të tij që nuk e nderuan atë, megjithëse ai u kishte dhënë atyre të drejtën e birësimit. Pastaj, ata nuk u rilindën përsëri, por kishin të drejtën e të parëlindurit te Zoti. Lavdia e Zotit banonte në vendin e shenjtë të shenjtërores, dhoma më në brendësi të tabernakullit, ndërsa populli i zgjedhur kalonte në shkretëtirë dhe Zoti i mbrojti dhe i udhëhoqi mes rreziqesh duke bërë shumë mrekulli (Eksodi 40:34; Ligji i Përtërirë 4:7; Isaia 6:1-7; Megjithatë, Zoti i ndëshkoi të zgjedhurit e tij dhe i kërcënoi me vdekje për shkak të mosbesimit të tyre; por lutja e Moisiut dhe e Aaronit i shpëtoi nga lavdia e tij vdekjeprurëse (Numrat 14:1-25). Si privilegje të tjera, Pali kujton një sërë besëlidhjesh, të cilat dëshmojnë thëniet e mëdha dhe të fuqishme të Perëndisë që Zoti, Krijuesi dhe Gjykatësi i drejtë e ka lidhur veten përgjithmonë me këtë popull të vogël. Bibla e Shenjtë kujton besëlidhjet e mëposhtme: Besëlidhja e Perëndisë me Noeun (Zanafilla 6:18; 9:9-14).
Besëlidhja e Perëndisë me Abrahamin (Zanafilla 15:18; 17:4-14).
Besëlidhja e Perëndisë me Isakun dhe Jakobin (Zanafilla 26:3; 28:13-19; Eksodi 2:24).
Besëlidhja e Perëndisë me Moisiun (Eksodi 2:24; 6:4; 24:7-8; 34:10, 28).
Por, për fat të keq, Bibla e Shenjtë dëshmon vazhdimisht se njerëzit e besëlidhjes së vjetër i braktisën këto premtime herë pas here, saqë profeti Jeremia tha se Zoti vendosi të bënte një besëlidhje të re me ta, duke përfshirë lindjen shpirtërore të popullit të tij të pabindur (Jeremia 31: 31-34). Ligji është themeli i besëlidhjes së Zotit me popullin e tij nëpërmjet profetit Moisi. Libri i besëlidhjes me dhjetë urdhërimet e tij ishte një pikënisje për 613 urdhërime, duke përfshirë 365 urdhërime negative (ndalime) dhe 248 urdhërime pozitive sipas Maimonides.(*filozof, mjek dhe jurist hebre) Në fillim të këtyre urdhërimeve, ne lexojmë thënien e drejtpërdrejtë: "Unë jam Zoti, Perëndia juaj. Nuk do të keni perëndi të tjerë përveç meje" (Eksodi 20:1-3). Ai që heton temën e këtyre urdhërimeve, gjen urdhërimin: “Jini të shenjtë, sepse unë, Zoti, Perëndia juaj, jam i shenjtë” (Levitiku 19:2). Thelbi i këtyre urdhërimeve është: "Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë forcën tënde" (Ligji i Përtërirë 6:5) dhe "Duaje të afërmin tënd si veten tënde" (Levitiku 19:18). Por ne zbulojmë se askush nuk i mbajti të gjitha këto urdhërime (Psalmi 14:3; Romakëve 3:10-12) përveç Jezusit. Adhurimi i Perëndisë përpara tabernakullit, dhe më pas në tempullin e Jeruzalemit, kërkonte para së gjithash pastrimin e mëkatarit nëpërmjet disa sakrificave të përgjakshme që ai të mund të kishte të drejtë t'i afrohej Perëndisë dhe ta adhuronte me devotshmëri. Kjo u arrit nëpërmjet recitimit të psalmeve, himneve dhe lutjeve, rrëfimit të mëkateve, kryerjes së riteve dhe adhurimit. Ai që depërton thellë në Librin e Psalmeve, në Dhjatën e Vjetër, gjen qartë frymën dhe zbatimin e këtyre thënieve. Më e rëndësishmja nga të gjitha këto adhurime, pa ofruar sakrifica, ishte marrja e bekimit. Këto adhurime arritën pikën e tyre më të lartë në festa, veçanërisht në Pashkë, Rrëshajë, Tabernakujt dhe Yom Kippur (Dita e Shlyerjes). Përqendrimi në banesën e Perëndisë në tempullin e Jeruzalemit forcoi unitetin e kombit. Por, përkundër kësaj qëndre shpirtërore, kishte shumë fshatra, të cilët bënin altarë për Baalët dhe u paguanin haraç flijimesh perëndive të tjera, duke ngritur imazhet dhe statujat e tyre, gjë që provokoi zemërimin e Perëndisë kundër tyre. Dhjata e Vjetër është plot me disa premtime të spikatura, në të cilat gjejmë tre qëllime: a) Prania, falja, mbrojtja dhe ngushëllimi i Zotit, Perëndisë së tyre (Eksodi 34:9-11).
b) Premtimet e ardhjes së Krishtit, Princit të Paqes dhe Qengjit të butë të Perëndisë (Ligji i Përtërirë 18:15; 2 Samuelit 7:12-14; Isaia 9:5-6; 49:6; 53:4- 12).
c) Derdhja e Frymës së Shenjtë mbi popullin e zgjedhur dhe mbi çdo mish (Jeremia 31:31-34; Ezekieli 36:26-27; Joeli 3:1-5).
Por, mjerisht! Shumica e judenjve nuk e njohën ardhjen e Qengjit të Perëndisë, Mbretit të popullit të tyre. Ata e lanë pas dore derdhjen e Frymës së Shenjtë, duke pritur ngritjen e një shteti të fuqishëm politik. Prandaj ata as nuk i njohën mëkatet e tyre dhe as nuk kërkuan lindjen e re shpirtërore. Shumë premtime u kryen nga sjellja e Jezusit dhe nga derdhja e Frymës së Shenjtë mbi ndjekësit e tij. Por shumica e popullit të zgjedhur as nuk e njohu dhe as nuk e pranoi kryerjen e këtyre premtimeve për ta. Etërit e njerëzve të zgjedhur nuk ishin filozofë, por barinj dhe priftërinj për të tjerët. Etërit përfaqësoheshin nga Abrahami, Isaku dhe Jakobi, sepse besimi i tyre i sinqertë e mposhti dobësinë e tyre. Zoti i besëlidhjes u quajt Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit (Zanafilla 35:9-12; Eksodi 3:6; Mateu 22:32). As Moisiu, as Davidi, as Elia, as ndonjë personalitet tjetër i Dhjatës së Vjetër nuk themeluan ndonjë universitet apo akademi, por ata përjetuan vazhdimisht të vërtetën dhe fuqinë e Zotit, pavarësisht nga korrupsioni i njerëzve. Ata jetuan në përputhje me besimin e tyre dhe u bënë një shembull i mirë për popullin e tyre dhe një burim bekimi për nipërit e mbesat e tyre. Megjithatë, privilegji dhe nderi më i madh i popullit të Izraelit ishte ardhja e Krishtit të pritur, Mbretit të Mbretërve, Kryepriftit të vërtetë dhe Fjalës së mishëruar të Perëndisë, në të cilin ne shohim autoritetin, fuqinë dhe dashurinë e Perëndisë e pranishme midis njerëzve. Ai tha: "Unë jam drita e botës", sepse dashuria e Perëndisë banonte në të dhe Fryma e Shenjtë e përlëvdoi. Ai dhe Perëndia janë një, siç rrëfeu: “Unë dhe Ati im jemi një” (Gjoni 10:30). Sipas kësaj të vërtete, apostulli Pal e quajti atë "Perëndi". Ai nuk tha "një perëndi", por "Perëndia" i vërtetë, pasi të gjitha kishat rrëfejnë se Krishti është Perëndi nga Perëndia. Dritë nga drita. Perëndi i vërtetë nga Perëndi i vërtetë, i lindur, jo i krijuar, i të njëjtit thelb me Atin. Judenjtë u ndezën, bënë rrëmujë dhe mallkuan të krishterët për shkak të rrëfimit që Pali deklaroi në letrën e tij drejtuar kishës në Romë; dhe shumica e judenjve e konsideruan Jezusin si një mashtrues, blasfemues dhe rebel kundër Perëndisë dhe ia dorëzuan atë romakëve, kolonëve të tyre, për t'u kryqëzuar. Ata kanë vazhduar në forcimin e tyre që nga koha e Isaias, d.m.th. 700 para Krishtit. (Isaia 6:9-13; Mateu 13:11-15; Gjoni 11:40; Veprat e Apostujve 28:26-27). Nga këto vargje, zbulojmë se ngurtësimi i zemrave të tyre u shtua dhe u bë më i kristalizuar e më i qartë. Ata nuk u penduan për mëkatet e tyre, por e konsideruan vetveten të drejtë, sepse respektonin ligjin e Moisiut, duke i parë të gjithë të tjerët si të humbur. Në kohën e ngurtësimit të tyre, Gjon Pagëzori erdhi për të përgatitur udhën e Krishtit dhe një pjesë e mirë e njerëzve u pagëzuan nga duart e tij. Ata dëgjuan prej tij se Jezusi ishte Qengji i Perëndisë dhe kuptuan se Jezusi do të pagëzonte me Frymën e Shenjtë për të ngritur një mbretëri të re shpirtërore; dhe të gjithë ata që u pagëzuan nga dora e atij që thërriste në shkretëtirë u përgatitën të pranonin Krishtin. Jezusi nuk i thirri ekspertët ligjorë, të devotshmit apo dijetarët që ta ndiqnin atë, por thirri ata që rrëfyen mëkatet e tyre para Pagëzorit dhe u bënë dishepujt e tij dhe u mbushën me Frymën e Shenjtë. Misteri tek njerëzit e zgjedhur nuk është as dija, as pasuria, as përvoja politike, as madhështia; por rrëfimi i mëkateve dhe thyerja e shpirtit. Ata që rrëfyen mëkatet e tyre me pendim, morën nga Krishti shpëtimin dhe jetën e përjetshme. Privilegjet e ligjshme, që gëzonte populli i Izraelit, përveç pranisë së Perëndisë me ta, patën një efekt negativ në shumicën e hebrenjve. Ata u bënë krenarë dhe kryelartë mbi popujt e tjerë dhe e konsideronin veten të drejtë dhe për këtë arsye nuk kishin nevojë për pendim. Ata nuk i njohën mëkatet e tyre, por i ngurtësuan zemrat për shekuj kundër Perëndisë, kundër Krishtit dhe kundër Frymës së tij të pastër, derisa u bënë të pasur në të drejta, por të varfër në shpirt. Në jetën e tij të kaluar, Pali kishte qënë një prej tyre, fanatik dhe krenar. Ai i torturonte pasuesit e Krishtit, i detyronte disa prej tyre të largoheshin dhe vriste ata që ishin të vendosur në besimin e tyre. Por takimi i tij me Krishtin, në lavdinë e tij rrezatuese pranë Damaskut, i shpërndau ëndrrat, imagjinatat dhe krenarinë e tij; dhe e bëri atë të rrëfejë fyerjen dhe çoroditjen e tij dhe të thyhet nga hiri i Krishtit, i rilindur nga Fryma e Shenjtë dhe një apostull i Zotit Jezus. Pali e kuptoi se ajo që e shpëton njeriun nuk është as prejardhja nga fara e Abrahamit, as rrethprerja, por shfajësimi me anë të shlyerjes së Krishtit dhe mbushja me Frymën e tij të Shenjtë. Si i tillë njeriu shartohet në trupin shpirtëror të Krishtit, duke u bërë anëtar i tij. Nëpërmjet predikimit të tij të ungjillit brezit të ri të Abrahamit, Pali kuptoi se mbretëria shpirtërore e Perëndisë nuk mund të ishte kurrë e ngjashme me shtetin politik të Izraelit. Fatkeqësisht, trupi shpirtëror i Krishtit pëson përndjekje të dhunshme sot në Izrael. Pali nuk foli për një shtet politik, por për mbretërinë shpirtërore të Krishtit, e cila shfaqet me sjellje të mira, vërtetësi dhe pastërti kudo në botë. LUTJE: O At qiellor, ne të falënderojmë për durimin tënd me popullin tënd të zgjedhur dhe të lartësojmë për premtimet që ke bërë në Dhjatën e Vjetër për këtë popull kryengritës, pavarësisht paralajmërimeve dhe ndëshkimeve të tua. Fale popullin tonë dhe neve, nëse dashurinë tënde të madhe nuk e shpërblejmë me besim dhe besnikëri; dhe shpëto shumë nga bijtë e Abrahamit duke rinovuar mendjet e tyre dhe duke pastruar zemrat e tyre për Jezu Krishtin e gjallë. PYETJET:
|