Previous Lesson -- Next Lesson
3. Drita Hyjnore Shkëlqeu
Mesazhi i ardhjes së Dritës Hyjnore nuk është një koncept fetar mistik. Është, më tepër, premtimi i Perëndisë që Ai u dha etërve të besimit. Lexo fragmentet e mëposhtme nga Ungjilli për të gjykuar vet se Perëndia me të vërtetë ka shpuar errësirën e botës sonë, duke na dërguar dritën e Tij.
I dashur lexues, a e ke kuptuar se Drita Hyjnore ka ndriçuar në errësirën e thellë të botës sonë? Nata kishte rënë në Betlehem dhe rrethinat e tij. Çdo krijesë e gjallë kishte shkuar për të fjetur, përveç një grupi barinjsh që ruanin natën në fusha.
Papritur, qiejt u hapën dhe rreth tyre shkëlqeu një dritë depërtuese që ndriçoi natën dhe trembi barinjtë. Ajo që e shtoi tmerrin e tyre ishte shfaqja e Engjëllit të Zotit para tyre me një shkëlqim të mahnitshëm. Dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre. Ata ranë të shtangur dhe me sy të verbuar. Është Dita e Ringjalljes dhe Dita e Gjykimit, menduan ata! Mëkatet e tyre u zgjuan, duke i akuzuar para ndërgjegjes së tyre të fjetur. Gjithë jeta e tyre u zbulua para tyre në lakuriqësinë e saj. Ata kishin shumë frikë dhe dridheshin nga tmerri. Por Engjëlli i Zotit u tha atyre që të mos kenë frikë, duke u shpallur me butësi: “Mos kini frikë! Unë kam ardhur me mesazhin për ju se sot ka lindur një Shpëtimtar, i cili është Krishti i premtuar, i premtuar nga Perëndia nëpërmjet profetëve të Tij. Ai është mëshira për njerëzimin nga Perëndia i mëshirshëm, i Cili i shpëton nga Dita e Gjykimit të gjithë ata që i besojnë Atij.” Edhe ju do të gjeni në këtë mesazh sekretin e ndriçimit: Kushdo që pendohet nga mëkatet e tij para Perëndisë, do të mbushet me gëzimin e qiellit. Dhe kushdo që pranon fjalën e Zotit në ndërgjegjen e tij, do të kuptojë gëzimin e shpëtimit të dhënë falas.
Kështu, Perëndia i dashur ka përgatitur për ty një mëshirë të madhe. Ai po të drejtohet personalisht; Ai nuk do të të refuzojë dhe nuk do të të shkatërrojë, por do të të zbulojë qëllimin e Tij për shpëtimt.
A e ke kuptuar sekretin e dritës së përjetshme? Krishti lindi në një stallë, në një grazhd të ulët. Ai mori formën njerëzore në një vend të përulur, që njeriu të mos thotë: “Jam i refuzuar sepse jam shumë i keq dhe shumë i vogël që Perëndia të më dojë”. Jo! Sepse vet Krishti lindi si një refugjat, i refuzuar nga shoqëria për t'i dhënë çdo shpirti të dëshpëruar shpresë dhe të kuptuar se Perëndia vjen tek ai, është afër tij dhe e do atë personalisht.
Në një nga pallatet e Sulltanit Osman në Stamboll mund të shihni një djep vezullues për foshnjat e sundimtarit prej ari të pastër. Ai është e zbukuruar me xhevahire vezulluese. Emrat e princave që pushtuan këtë djep nuk janë të njohur për botën dhe ky djep i artë i zbrazët qëndron në një cep të njërit prej muzeve.
Por Krishti i përulur i lindur në një grazhd të varfër njihet ndër shekuj, sepse Ai është shenja e vërtetë e Perëndisë, mrekullibërësi deri më sot. Ai është gati t'ju nxjerrë nga humbja juaj; të çlirojë nga prangat e mëkatit dhe të të shpengojë nga të këqijat e kësaj bote. Ai do t'ju japë jetën e përjetshme.
Engjëjt e Perëndisë u gëzuan kur lindi Krishti. Shkëlqimi i tyre ndriçoi vendin ku u ulën ata barinj të frikësuar. Drita hyjnore gdhendi në thellësitë e qenies së tyre njohurinë unike se Krishti i premtuar kishte ardhur dhe se profeti që do të ishte më i madh se Moisiu kishte ardhur, se mbreti i përjetshëm më i madh se Davidi kishte lindur. Ai nuk erdhi me armë shkatërrimi, por me dashuri për të mposhtur vdekjen, mëkatin dhe Satanin. Ai mban të gjithë autoritetin e Perëndisë, sepse Ai ka lindur nga Fryma e Tij dhe Ai është Fjala e mishëruar e Perëndisë.
Shumica e besimtarëve sot rrëfejnë me gëzim të madh se Jezu Krishti është Shpëtimtari i tyre personal, i vetmi i vërtetë. Këngët e tyre të lavdërimit ngrihen çdo ditë nga globi ynë dhe kumbojnë në hapësirën e madhe, kështu që edhe yjet dhe planetet flasin për lavdinë e Perëndisë dhe shpallin praninë e Tij dhe fuqinë shpëtuese, duke lavdëruar dhe duke thënë:
Kur engjëjt u larguan nga barinjtë, errësira zbriti përsëri. Por ata u ngritën menjëherë dhe shkuan në Betlehem për të parë atë që kishte ndodhur. Ata nxituan, duke u penguar në errësirë ndërsa shkonin, por brenda tyre shkëlqente kjo dritë e re e mrekullueshme. Barinjtë gjetën vendin ku kishte lindur Jezusi dhe zemrat e tyre u mbushën me gëzim. Ata e panë foshnjën të shtrirë në një grazhd dhe u gjunjëzuan për ta adhuruar. U nisën më pas në natën e errët duke kënduar dhe kur arritën në fshat, u treguan njerëzve për shfaqjen e engjëllit dhe se e kishin parë foshnjën në stallën e Betlehemit. Njerëzit tundën kokën dhe menduan për atë që dëgjuan. Dukej si një përrallë e shpikur nga barinjtë. Asnjë prej tyre nuk i besoi asaj që dëgjuan për mishërimin e Fjalës së Perëndisë. Ata nuk nxituan te fëmija në grazhd për t'u përkulur para Tij. Pikërisht atëherë barinjtë e kuptuan se shpëtimi ishte përgatitur për të gjithë njerëzit. Megjithatë, jo të gjithë e pranojnë mesazhin e Perëndisë. Vetëm ata që i binden thirrjes ndriçohen prej saj. Pa dyshim, barinjtë u mahnitën kur nuk panë ndonjë pasuri, lavdi ose madhështi rreth foshnjës. Por besuan në Fjalën e Perëndisë, e cila ishte mishëruar, siç ishte premtuar, e shtrirë në një grazhd të përulur.
E gjithë bota nuk ka qenë më e njëjta që nga lindja e Krishtit. Të gjithë ata që e ndoqën Atë filluan të ndiqnin një kalendar të ri bazuar në këtë ngjarje të jashtëzakonshme historike, e cila ka ndryshuar historinë njerëzore.